Analisti Imer Mushkolaj, teksa e ka komentuar përzgjedhjen e strukturës së re të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ka emra që kanë mbetur jashtë kryesisë që mund të konsiderohen veteranë të LVV-së.
Lëvizja Vetëvendosje të dielën e 23 tetorit ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku edhe ka zgjedhur kryesinë e cila do ta udhëheqë organizatën në katër vitet e ardhshme.
Analisti Imer Mushkolaj, teksa e ka komentuar përzgjedhjen e strukturës së re të Lëvizjes Vetëvendosje në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar emra të ri në strukturën e re të partisë së udhëhequr nga vetë Kurti.
“Është e natyrshme që çdo kryesi nuk mund të jetë me emra të njëjtë sikurse ajo paraprake, në kryesinë e re të LVV-së kemi edhe emra të ri, në anën tjetër kemi emra që kanë mbetur jashtë kryesisë që mund të konsiderohen veteranë të LVV-së. Interesante më është dukur emri i sekretarit organizativ të LVV-së, një person që e kemi parë për herë të parë në shkurt të vitit 2020 kur është emëruar si anëtar i KQZ-së, dhe tash e ka një pozitë shumë të rëndësishme”, ka thënë Mushkolaj.
“Në këtë mënyrë, më tepër e shoh si koncentrim më të madh të pushtetit në duart e tij brenda partisë në këtë rast se sa shpërndarje e vërtetë e përgjegjësive në kuptimin praktik”, shtoi ai.
Ajo çka bie në sy, është se ministri i Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka mbetur jashtë strukturave të reja të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aliu, i cili e udhëheq një ministri, edhe pse konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i njëjti nuk figuron në ndonjë pozitë të rëndësishme në listën e kryesisë së re.
Lidhur me këtë, Mushkolaj ka thënë se “nuk e dimë pse Liburn Aliu nuk është pjesë e kryesisë”.