Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës për qëllime politike, kërkuam të trajtohet nga Prokuroria Speciale

17:39 | 11 Tetor 2020

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se arrestimi i kryetarit të Istogut, Haki Rugovës, dhe mbajtja e tij në arrest është bërë pa asnjë bazë ligjore.

Ai në një konferencë për media ka thënë se rasti i Rugovës të trajtohet nga Prokuroria Speciale pasi sipas tij puna përmes kësaj prokurorie do bëhet sipas ligjit.

“LDK gjithëherë e ka përkrahur drejtësinë dhe e përkrahim edhe sot që të zbatohet ndaj gjithkujt por sipas ligjit dhe Kushtetuitës së Kosovës. Sistem i drejtësisë i duhet këtij vendi, një sistem i kapur tregon pasiguri te qytetarët sepse ata frikësohen se një ditë do jenë viktimë e lidhjes së politikës me organet e drjetësisë”.

“Në rastin e Haki Rugovës sipas informatave që kemi, arrestimi dhe mbajtja në arrest është bë pa asnjë nevojë ligjore. Në emër të LDK kërkoj që për këtë rast të zhvillohet sa më shpejt procesi ligjor, nëse ky proces zhagitet konsiderojmë se arrestimi tij, denigrimi para opinionin i tij është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe LDK-në, duke u njollosur qeverisja e LDK-së”, ka thënë ai.

Mustafa ka kërkuar që “sistemi i drejtësisë të qëndroj larg politikës”.

Nga mëngjesi ka filluar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, e cila është mbajtur e mbyllur për media.

Rugova ishte arrestuar të premten, nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” e “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Avokati i tij, Besnik Berisha, të premten ka thënë se ndaj klientit të tij është bërë krim nga Prokuroria e shtetit.

Komento: