Mustafa: Edita Tahiri punonte sa krejt delegacioni shtetëror – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Mustafa: Edita Tahiri punonte sa krejt delegacioni shtetëror

12:42 | 09 Janar 2019

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka goditur delegacionin shtetëror për dialog duke kërkuar që mos të përgojonë opozitën.

Mustafa, e ka cilësuar si të parëndësishëm delegacionin kosovar që udhëtoi drejt Brukselit, i përfaqësuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Kreu i LDK-së, ka thënë se më përpara punën e gjithë këtij delegacioni të madh në numër e ka kryer vetëm një ministre.

“Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel”, ka shkruar ish-kryeministri Mustafa.

Ai gjithashtu ka thënë se LDK-ja e konsideron shumë serioze çështjen e dialogut, dhe sipas tij nuk mund të përfaqësohet nga njerëz pa legjitimitet të cilët nga Brukseli zgjedhin për të përgojuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në. LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla”, ka shtuar Mustafa.

Sipas tij, dialogun e Brukselit duhet ta udhëheq një Qeveri e cila ka përkrahje të gjerë, dhe që ka unitet, në të kundërtën Mustafa paralajmëron se dikush tjetër do t’i nënshkruaj letrat, e partitë do të vazhdojnë të përplasen ndërmjet veti.

“Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”, është shprehur kreu i LDK-së.

Mustafa ndër të tjera në reagimin e tij, ka folur edhe për porosinë që ka marrë pala kosovare dje nga Brukseli për të hequr taksën.

“Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Dje në Bruksel ka qëndruar delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë, i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Limaj për çështjen e taksës ka thënë se do ta heqin në rast të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që si rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

Ndërkohë Shpend Ahmeti, ka treguar se BE-ja mbështet çfarëdo marrëveshje për të cilën merren vesh Kosova dhe Serbia, megjithatë ai ka treguar se Bashkimi Evropian nuk përkrahë krijimin e shteteve etnikisht të pastërta.

Komento: