Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka folur edhe njëherë rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se Serbia nuk është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e aq më pak ta njoh si shtet.
Përmes një statusi në Facebook, i pari i LDK’së, ka shkruar se Serbia është duke vazhduar që të krenohet me dëmet që i po shkakton vendit në arenën ndërkombëtare.
“Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndeshë me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke”, u deklarua Mustafa.
Shkrimi i plotë:
Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.
Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.
Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndeshë me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke.
Prandaj do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet për të kultivuar një mjedis në të cilin punojmë për prosperitet të qytetarëve tanë.