Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas paralajmërimit të KQZ-së se do të numërohen votat e ardhura jashtëligjshëm nga Serbia.
Mustafa ka shkruar se nëse ndodh diçka e tillë, hapen rrugët për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen.
Ja reagimi i plotë:
Si Kryetar i LDK-së kërkoj nga KQZ-ja të trajtojë ligjshmërinë e votave të ardhura në pliko nga Serbia, për Listën Serbe.
Paralajmërimi se këto vota do të hyjnë në numërim, pa një vendim të KQZ-së se a i plotësojnë ato kushtet ligjore, hapë rrugë për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen.
Një gjë e tillë u tentua të bëhet në zgjedhjet e kaluara lokale në Istog, por organet ligjore parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.
Nuk duhet lejuar asnjë votë të paligjshme në Kosovë. IM