Mustafa i PDK-së demanton Mujën e VV-së: Kosova ka nivelin më të ulët të pagave në rajon

14:32 | 06 Korrik 2024
mustafa-i-pdk-se-demanton-mujen-e-vv-se:-kosova-ka-nivelin-me-te-ulet-te-pagave-ne-rajon

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kundërshtuar deklarimet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, sipas të cilit, paga mesatare në sektorin publik është rritur për rreth 30 për qind nga 580 euro në 780 euro.

Sipas Mustafës, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur as të kompensojë rritjen e çmimeve, e jo më të përmirësojë pozitën financiare të shërbyesve publikë.

“Madje, paradoksalisht, për disa kategori pagat u zvogëluan në kohën e rritjes së çmimeve”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Mustafa ka kërkuar nga Muja të tregoj edhe të dhëna për pagat në sektorin privat, të cilat, në vlerësimin e tij, kanë stagnuar si pasojë e “bllokadës që ka pësuar ky sektor gjatë kësaj qeverie”.

“Përndryshe, të dhënat e fundit qe janë në dispozicion e radhitin Kosovën në nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon”, ka shtuar ai.

Në një grafikon të publikuar nga Mustafa, potencohet se paga mesatare në Kosovë gjatë vitit 2022 ka qenë 521 euro bruto ndërsa 446 euro neto.

Komento: