
Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe komuniteteve joshumicë për zhbllokimin e institucioneve të Kosovës.
Mustafa ka bërë thirrje për krijimin e një “Pakti për Shtetin”, që sipas tij do t’i jepte fund bllokadës dhe do të mundësonte funksionimin e institucioneve.
Në propozimin e tij, Mustafa thotë se LVV-së do t’i njihej roli udhëheqës në Qeveri dhe Kuvend, ndërsa PDK-së do t’i jepej përgjegjësia për Presidencën.
Ai kërkon që marrëveshja të përfshijë edhe garanci për përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.
Mustafa ka propozuar gjithashtu që Kosova të forcojë bashkëpunimin me SHBA-në dhe NATO-n dhe të ketë një qasje më të afërt me Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon.
Në fund, ai i është drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duke i thënë se “çelësi është në duart e tua”.
“Besoj se PDK është e gatshme ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, Kosovës nuk i duhet një krizë e re politike, por një marrëveshje që do t’i mundësonte funksionimin normal të institucioneve.