Mustafa kritikon grupin për dialogun, e konsideron kthim në kohën e UNMIK-ut

21:53 | 06 March 2019

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka folur për grupin e dialogut dhe platformën.

Sipas tij, ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, siç thotë ai, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Grupi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës! Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës.

Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit.

Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008.

Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!

Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.

LDK do të inicojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë.

Komento: