Mustafa: Kryeministri i takon LDK-së, mandatari caktohet të hënën

14:02 | 24 August 2019

Zëdhënësi i LDK-së thotë se kryeministri i takon LDK-së, mandatari caktohet të hënën.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LDK’së, ka thënë se të hënën do të përmbyllen diskutimet rreth asaj se kush do të jetë i nominuar i kësaj partie për postin e kryeministrit, shkruan Gazeta Express.

Ai gjithashtu ka thënë se në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së, do të diskutohet edhe për çështjen e koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se sot e kanë rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin që nuk do të ketë koalicion me PDK’në.

“Në takimin e sotëm të kryesisë së re u pajtuam në disa çështje. E para rikonfirmuam kryesinë e re, që do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm. U rikonfirmuar qëndrimi që s’do të kemi koalicion me PDK’në. Në takimin e radhës të Këshillit të LDK’së do të diskutohet edhe për koalicionin me LVV”në”, ka thënë Mustafa, raporton Gazeta Express.

Ndër të tjera ai ka thënë se sot janë hapur diskutimet për atë se kush do të jetë mandatar për postin e kryeministrit, dhe se ato do të mbyllen të hënën.

“Në takimin e radhës të Këshillit të Përgjithshëm do të konfirmohet qëndrimi i partisë, që posti i kryeministrit i takon LDK’së si dhe në takimin e radhës të kryesisë që do të mbahet të hënën në mëngjes, do të diskutohet edhe për mandatarin tonë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Janë hapur diskutimet, por do të përmbyllet ky diskutim të hënën”, ka thënë Mustafa.

Komento: