A do të ketë takim Mustafa-Kurti për koalicion, flasin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës dje ka marrë një vendim përmes të cilit 30 gushtin e ka caktuar si datën e fundit kur partitë do të duhet të deklarohet për koalicionet parazgjedhore.
Një gjë e tillë tashmë e ka vendosur në presion kohor, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat për disa javë janë duke bërë përpjekje të gjejnë një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje parazgjedhore.
Megjithatë edhe përkundër faktit se kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për koalicione parazgjedhore, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ende nuk ka asgjë konkrete nëse do të ketë ndonjë takim brenda këtyre ditëve mes dy partive.
Gazeta Express ka kontaktuar nënkryetarin e LVV’së, Besnik Bislimin, për ta pyetur për mundësinë e një takimi ndërmjet dy liderëve, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, megjithatë ai ka thënë se aktualisht nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
“Ende nuk kemi asgjë konkrete në këtë drejtim”, ka thënë Bislimi për Gazetën Express.
E për negociatat rreth koalicionit të mundshëm me LVV’në, ka folur edhe Sekretari Organizativ i LDK’së, Arban Abrashi, duke thënë se gjithçka mund të ndodhë brenda këtyre ditëve.
Ai madje ka thënë se ka informacione se KQZ-ja mund të ndryshojë datën 30 gusht si afat për koalicione parazgjedhore.
“Për momentin jemi në pritje për negociata të tjera të shtuara. Grupet tona po diskutojnë rreth kësaj. Unë nuk kam marrë pjesë në ato zhvillime. Por të presim deri në fund të afatit dhe më pas publiku do të jetë i informuar. Gjithçka është e mundur”, ka thënë Abrashi për T7.
Përveç tjerash Abrashi ka thënë se partia e tij ka zgjedhur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, duke thënë se partitë politike nuk duhet përzier në punët e brendshme të njëra tjetrës. Këto komente ai i ka bërë derisa ka folur për deklaratën e Sveçlës se LDK është dashur të konsultohet me VV’në para se të caktonte Osmanin si kandidate për kryeministre.
Ndërkohë jo zyrtarisht po thuhet se sot janë duke u takuar nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri, dhe i sapoaderuari në Vetëvendosje, Agim Bahtiri. Nuk dihet se cila mund të jetë arsyeja e takimit të tyre, megjithatë në përgjigjen zyrtare të LVV’së rreth takimeve me LDK’në nuk ka asgjë konkrete.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor. Qytetarët do të detyrohen t’iu drejtohen përsëri kutive të votimit, pasi që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje më 19 korrik të këtij viti pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale dhe pas problemeve që i kishin dalë me partnerin kryesorë të koalicionit, PDK’në e Kadri Veselit.