Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia e tij nuk tërhiqet nga kandidati për kryeministër pasi që sipas tij, janë partia më e madhe.
Mustafa ka folur para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.
Mustafa aty është pyetur se a do të tërhiqet LDK-ja nga posti i kryeministrit nëse ky subjekt hyn në koalicion me Vetëvendosjen, shkruan lajmi.net.
Mustafa tha se ata ende nuk kanë vendosur të shkojnë në koalicion me ndonjë parti tjetër, mirëpo megjithatë nuk do të heqin dorë nga posti i kryeministrit.
“S’kemi vendosur me shku në koalicion dhe smund të japim përgjigje hipotetike. Në përgjigje të përgjithshme ne nuk heqim dorë nga kandidati për kryeministër të LDK-së. Ne i respektojmë tjerët por konsiderojmë se LDK-ja meriton me qeveris këtë vend”, ka thënë Mustafa.
Aty Mustafa ka folur edhe për idenë e ndryshimit të kufijve për të cilën ka thënë se LDK-ja e konsideron si shumë të rrezikshme, dhe se sipas tij nëse implementohet e njëjta atëherë është ndryshim i deklaratës së pavarësisë.
“SHBA-të kanë thënë se ata do të pranojnë çdo zgjidhje që arrihet mes palëve. Në këtë rast nuk kemi një anim. Ne e shohim si zgjidhje të rrezikshme ngase kjo është ndryshim i deklaratës së pavarësisë”, ka thënë Mustafa.