Isa Mustafa me fjalë të mëdha para zgjedhjeve.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Sardi.
Siç njofton kumtesa nga LDK-ja, “ambasadori Sardi e uroi Mustafën për rizgjedhjen në krye të LDK-së dhe theksoi që Kuvendi Zgjedhor ishte një takim i rëndësishëm në udhëtimin demokratik të LDK-së dhe vendit”.
Mustafa e njoftoi ambasadorin Sardi për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme në të cilat LDK-ja parapëlqen që të gjitha partitë të shkojnë të vetme.
“LDK do të përcjellë veprimet e partive tjera dhe do të ndërmarrë veprime në përputhe me rrethanat politike. LDK nuk ka shumë disponim për koalicione parazgjedhore por mbi të gjitha po punojmë të fitojmë zgjedhjet në mënyrë që partitë që sot janë në opozitë të formojnë Qeverinë e re të Kosovës me një shumicë të qëndrueshme që u bën ballë temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet vendi”, theksohet në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja tutje thekson se në Qeverinë e re të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, përkrahjen e sektorit privat, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit si dhe integrimet euroatlantike me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës. /Lajmi.net/