Mustafa për skandalin me emërimin e Faruk Mujkës në Ibër Lepenc: Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur

10:56 | 18 Dhjetor 2025
Mustafa për skandalin me emërimin e Faruk Mujkës në Ibër Lepenc: Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa e ka quajtur Qeverinë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes “Qeveri të WhatsApp-it”, duke përmendur skandalin që u publikua në lidhje me emërimin e Faruk Mujkës në krye të Ndërmarrjes Publike Ibër Lepenc, e ku i njëjti deri e punësimi erdhi duke komunikuar me Dejona Mihalin dhe ministren tani në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Mustafa në një konferencë për media bashkë me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi tha se kjo metodë e tyre ka dëshpëruar edhe të rinjtë të cilët mësojnë fortë por në fund dëshpërohen veçse nuk e kanë mundësinë e një komunikimi me Mihalin.

“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, err e terr. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës së Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i VV-së se si e mbyt shpresën e një të riu që mëson fort, e pastaj dëshpërohet rëndë dhe në fund mbetet i papunë e i pashpresë, vetëm sepse nuk e ka WhatsApp-in e Dejones. VV erdhi në pushtet me premtimin se do të punojë me duar të pastra, por shumë shpejt u kuptua dhe u shpalos se janë të zhytur kokë e këmbë deri në fyt në pazare për punësime. Kjo nuk është qeveri, por është thjesht një qeveri e WhatsApp-it”, tha Mustafa.

Mustafa  tha se me këtë, VV-ja çoi mesazh tek të rinjtë se nëse je militant i Dejona Mihalit atëherë i ka dyert e hapura.

“Mesazhi i VV-së për një të ri apo të re është i qartë, është i ftohtë, është brutal. Nëse je militant i Dejonës e ke derën hapur, nëse je student i dalluar e ke derën mbyllur. Për VV-në shteti është pronë private, ndërsa zyrat e shtetit janë degë e nëndegë e partisë. Është e tmerrshëm ku në kohën e krizës energjetike ministrja në vend që të hartojë një strategji që ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ajo merret me hartim e listave të rehatimit të militantëve”, tha Mustafa.

Komento: