Kreu i LDK-së Isa Mustafa thotë se Qeveria po improvizon me ekipe hibride në dialog, duke ofenduar opozitën.
Mustafa, edhe njëherë ka folur për pozicionin që ka kjo parti në raport me dialogun Kosovë-Serbi, dhe thotë se janë në opozitë, pasi ata punojnë në të mirë të qytetarëve.
Qeveria e tanishme, thotë Mustafa, ia dorëzoi autoritetin e dialogut Presidentit Thaçi. “Po improvizon me ekipe hibride e pa legjitimitet në proces të dialogut. Po e ofendon rëndë opozitën”, ka shkruar ai.
“Të nderuar anëtarë dhe simpazitantë të LDK-së, për disa, LDK nuk bën të jetë as në pozitë e as në opozitë! Dhe ata nuk janë të pakët. Sa ishim në Qeveri, ata arsyetonin, motivonin dhe nxisnin dhunën e paparë të opozitës kundër nesh. Na kritikonin pse po qeverisim me PDK-në. Të njëjtit sot na kritikojnë dhe vajtojnë pse po qëndrojmë në opozitë dhe nuk po i bashkëngjitkemi PDK-së së Kadri Veselit e Hashim Thaçit, si partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, për t’ua bërë numrat dhe për t’ua siguruar legjitimitetin për dialog! Po iu “dhimbsemi” se kemi mbetur në margjinë, se na ka kapur gjumi i ariut, se e kemi humbur shansin etj, etj”, shkruan kryetari i LDK-së.
Mos me qenë LDK e fortë, thotë tutje Mustafa, me besim të madh qytetar, s’do të merrej askush me ne.
“LDK, tani është në opozitë. Roli i saj është i faktorit korrektues ndaj atyre që ushtrojnë pushtetin. LDK nuk mundet me qenë njëherazi edhe në opozitë edhe në pozitë. Në opozitë kemi dalë, jo me dëshirën tonë por, me votë të qytetarëve. Nga opozita do të punojmë në të mirë të Kosovës dhe të qytetarëve tanë. Me votë mosbesimi Qeverinë e drejtuar nga LDK e ka rrëzuar PDK (si partner yni qeverisës) përmes dorës së Nismës e cila ia kreu shërbimin e organizimit të mocionit. Ndërkaq kumbarë i koalicionit aktual, që tani kur u rrezikua nga rënia i hyri nën krah PSD-ja, dihet se ishte Presidenti Thaçi. LDK në vazhdimësi ka përkrahur dialogun si mjet për të komunikuar dhe për të zgjidhur mospajtimet me fqinjët. Edhe dialogun me Serbinë”, ka shkruar Mustafa.
Ai tutje ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë dialogun e ka zhvilluar Qeveria me në krye Kryeministrin.
Nuk e ka bërë as z. Fatmir Sejdiu, si President e as zonja Atifete Jahjaga, si Presidente.
“E kam drejtuar edhe unë si Kryeministër. Qeveria e tanishme ia dorëzoi autoritetin e dialogut Presidentit Thaçi. Po improvizon me ekipe hibride e pa legjitimitet në proces të dialogut. Po e ofendon rëndë opozitën, LDK dhe VV, e cila sipas të gjitha matjeve të publikut ka përkrahjen e më shumë se gjysmës së qytetarëve të vendit. LDK e ka sqaruar pozicionin në dokumentin e saj të Orientimeve bazë për dialogun. Ajo mirëpret përkrahjen e SHB-as dhe të BE-së për dialogun. Mbetet e bindur se për të siguruar një zë, ashtu siç angazhohet Presidenti Trump, duhet të ndërroj radikalisht qasja e pozitës ndaj dialogut. Marrëveshja që i nevojitet Kosovës nuk mund të bëhet nga njerëz pa votë qytetare e as me konferenca për shtyp, por me njerëz dhe parti që kanë besim dhe përkrahje të gjerë. Fundja çdo proces e ka një fund, për të cilin duhet të mendohet me kohë”, ka përfunduar Mustafa shkrimin e tij.