Mustafa: Rritja e punësimit në Kosovë është vetëm një iluzion, Kurti po mashtron publikun

13:05 | 29 Gusht 2024
mustafa:-rritja-e-punesimit-ne-kosove-eshte-vetem-nje-iluzion,-kurti-po-mashtron-publikun

Koordinatori për financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Kosova ka shënuar rritje enorme të punësimit gjatë këtyre katër viteve.

Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se kjo nuk është gjë tjetër përveç se një tendencë për mashtrim të publikut.

“Se çka mund të ketë ndodhë me punësimin gjatë këtyre viteve, më së miri tregon figura e mëposhtme e cila shpërfaqë stagnimin e ekonomisë. Me rritjen ekonomike nën 4%, investimet private në rënie të vazhdueshme,  investimet publike më të ulëtat dhe  deficitin tregtar më të lartin në histori nuk mund të ketë lulëzim të ekonomisë e as të punësimit”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shtuar se punësimet e përkohshme nga 6 muaj me para të shtetit nuk flasin për punësim, po vetëm për një mekanizëm të transferit të përkohshëm të një shume të parave te qytetarët.

“Nuk ka rritje të punësimit me këtë aktivitet të ulët ekonomik!”, ka shkruar Mustafa.

 

 

Komento: