Mustafa flet për takimin në Berlin.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se pritshmëritë e Kosovës ishin shumë të mëdha nga Samiti i Berlinit.
Ai tha se është e rëndësisë jetike që Gjermania dhe Franca janë bashkë në qëndrimet e tyre karshi Kosovës, e kjo, sipas Mustafës dëshmohet me vetë faktin se të dyja shtetet e kanë thirrur këtë Samit.
“Për neve është me rëndësi të madhe që Gjermania dhe Franca janë futur në këtë proces. Ajo që mund të vlerësohet lartë është që kishin një qëndrim të qartë për një marrëveshje dëmi i secilës do të kishte pasoja edhe për vendet e tjera”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që dialogu të vazhdojë, mirëpo kjo nuk mund të bëhet pa mbështetje.
“Nuk kemi pas ndonjë përcaktim paraprak të zyrës së Mogherinit se çka duhet të bisedohet, ata janë munduar ta luajnë rolin e ndërmjetësuesit. Me këtë të fundit, e kam parë se janë ngutur me deklarata sepse nuk është çështje e zyrës së Mogherinit që të flasin për kufij dhe mendoj se e kanë dëmtuar procesin”.
Mustafa ka thënë se roli i SHBA-së për këtë proces mbetet i pazëvendësueshëm, ashtu siç ka qenë në secilin proces që e ka kaluar Kosova deri tash.
“Mirëpo procesi duhet të kryhet në Evropë por përsëri neve na nevojitet një përkrahje dhe përfshirje te Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndryshe procesi pa SHBA-në nuk mund as të shkojë përpara e as të mbyllet”, ka thënë Mustafa.
Sa i përket shkëmbimit të territoreve, Mustafa ka thënë se sheh se qëndrimi i Kosovës është i qartë, përveç atij të presidentit deri më tani.
“Tani me sa po shoh në deklarata po korrigjohet edhe Presidenti”, ka thënë Mustafa.
“Mendoj që i është dhënë një shqelm i fuqishëm kësaj ideje, nuk jam i sigurt se sa është mbyll ose jo, por jam i sigurt që LDK mos ta përkrah asnjëherë”, përfundoi Mustafa.