Kryetari i LDK-së ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 11-vjetorit të ratifikimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Mustafa thotë se institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë në zbatimin dhe implementimin e këtyre akteve ligjore, që Kosova të ecë krahas shumë vendeve perëndimore.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Sot, bëhen 11 vite nga ratifikimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë është prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky dokument është një akt politik për të ndërtuar dhe zhvilluar një shtet të drejtë dhe demokratik, dhe ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës”, ka shkrur Mustafa.
Ai ka kujtuar ata që kanë punuar në hartimin e Kushtetutës, duke thënë se shteti i së drejtës duhet të jetë mision i të gjithëve në realizimin e definicionit të Kushtetutës dhe të mundësohet që bashkërisht të kemi një shtet demokratik dhe të përparuar.