Mustafa: Vetëvendosje nuk mund t’i tregojë LDK-së se kë ta ketë kandidat për kryeministër

11:54 | 30 August 2019

LDK dhe Vetëvendosje kanë në dispozicion edhe disa orë për të vendosur nëse do të hyjnë bjnë koalicion parazgjedhor dhe në zgjedhje do të hyjnë me një listë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nominimi i zonjës Vjosa Osmani për postin e kryeministres ishte një vendim që tregoi për kulturën e komunikimit brenda LDK-së.

Për rrjedhojë Mustafa ka thënë se LDK nuk hyn në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje pa kandidaten e saj për Kryeministër, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë për koalicion paszgjedhor nëse nuk zgjidhet kjo çështje paraprakisht.

Mustafa ka thënë se, LDK është e hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, me përjashtim të PDK-së, me të cilën Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur të mos ketë koalicion.

Bota sot e ka pyetur Mustafën edhe për ‘hatërmbetjen’ e Vetëvendosjes për emrin e Vjosa Osmanit për kryeministre. Ai ka thënë se s’mund t’ia përcaktojë asnjë parti njëra-tjetrës kandidatin për kryeministër.

“Jemi subjekte të mëdha politike. Prandaj nuk ka vend që njëra t’ia përcaktoj tjetrës kandidatin për Kryeministër. Por, duhet të respektim i ndërsjellë. Vjosën e kemi caktuar kandidate të LDK-së për Kryeministre. Natyrisht, jo kandidate të VV. Ndërkaq, koalicionin parazgjedhor me VV e bëjmë vetëm duke e pasur kandidatin tonë për Kryeministër. Në qoftë se nuk pajtohemi, mbetet të konkurrojmë veç e veç, me mundësi për koalicion paszgjedhor”, ka thënë Mustafa.

Komento: