Fatmir Sejdiu flet për kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së
Presidenti Fatmir Sejdiu, që ka udhëhequr më parë LDK-në, ka thënë që ka mundësi që edhe ai të jetë një nga kandidatët për kryetar të partisë.
Sejdiu në emisionin Pressing të Televizionit 7 ka thënë se kandidatura e tij është e mundur pasi ai nuk është shkëputur asnjëherë nga Lidhja Demokratike dhe anëtarësia e saj ia kërkojnë çdo ditë kandidimin.
“E para, unë jetoj me hallet e LDK-së dhe nuk jam shkëputur asnjëherë Dhe e dyta, një kërkesë e vazhdueshme e anëtarësisë së LDK-së. Kam komunikim me ta çdo ditë”, ka thënë Sejdiu.
Tutje ish-kryetari i LDK-së thotë se ka gatishmëri të kandidimit.
“Unë kam gatishmëri, por puna e kandidimit vjen më vonë”, ka thënë Presidenti Sejdiu.
Ai ka komentuar edhe kandidimet e mundshme të Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit për kreun e LDK-së.
Sejdiu thotë se kandidmet e tyre janë krejtësisht normale dhe ata janë asete të LDK-së, duke përmendur se për ngritjen e Osmanit ka kontribuar vetë ai.
“Unë i quaj asete. Kam kontribuuar në ngritjen e tyre dhe nuk e shoh asnjë të keqe që ata të kandidojnë. Vjosa Osmani ka qenë pjesë e ekipit tim në Presidencë”, ka treguar ai.