Na duhet një tryezë e partive, që do të ishte e ngjashme me Kongresin e Lushnjes – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Na duhet një tryezë e partive, që do të ishte e ngjashme me Kongresin e Lushnjes

Shkruar nga: Milazim Krasniqi

17:50 | 03 Nëntor 2020

Kosova po fundoset për çdo ditë. Fajin primar e ka Serbia, e cila po e minon çdo përpjekje të Kosovës për konsolidim.

Fajin e madh e ka edhe Bashkimi Evropian, që po e favorizon Serbinë. Faj të rëndë kanë armiqtë e Kosovës, Rusia e Kina, që e kanë bllokuar në OKB e gjithandej. Por fajin e pafalshëm e kanë politikanët tanë, që nuk po gjejnë rrugëzgjidhje.

(Nuk është arsyetim të thuhet se nuk po mundemi, ose nuk po dimë. Ata janë aty për të mundur e për të ditur.) Fatkeqësisht, ata kanë hyrë në skemën e armiqve të vendit tonë e po sillen si të humbur.

Mua kjo javë më duket vendimtare për fatin e Kosovës. Jo për zgjedhjet në SHBA. Për veprimet që duhet të ndërmerren në Kosovë.

Veprimi që mund ta shpëtojë vendin nga kollapsi dhe nga dezintegrimi është një tryezë e përbashkët e partive kryesore politike (LVV, LDK, PDK, AAK, Nisma dhe AKR, ku do të arrihej pajtim për këto çështje:

a) ngritja e menjëhershme e padisë për gjenocid kundër Serbisë,

b) ndryshimi i mandatit të Gjykatës Speciale, duke përfshirë të gjitha krimet e luftës, pra edhe të ushtrisë, policies, administraës e qeverisë së ish Jugosllavisë e të Serbisë në vitet 1989-1999, (gjithsesi duke përfshirë Vuçiqin e Daçiqin)

c) ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve, duke futur sistem mazhoritar me zona zgjedhore dhe duke eliminuar aspektet bllokuese nga statusi i minoriteteve,

d) duke ngrirë statusin e komunave rurale të formuara nga Plani i Ahtisarit, deri sa Serbia ta pranojë atë Plan,

e) zgjedhja e presidentit të bëhet me zgjedhje direkte,

f) formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, me një kryeminsitër nga partia e parë e zgjedhjeve të 6 tetori 2019, por që pranohet me koncensus nga partnerët e koalicionit. dhe

g) marrëveshje që zgjedhjet parlamentare e presidenciale të mbahen në prill 2021.
Nëse mirren këto vendime urgjentisht, gjatë javës, vendi do të shpëtohej. Siç u shpëtua Shqipëria në Kongresin e Lushjes.

Komento: