
Përplasje në Kuvend në mes të Arbërie Nagavcit dhe Endrit Shalës.
Kryesuesja e Kuvendit Arbërie Nagavci dhe deputeti Endrit Shala kanë pasë një përplasje, derisa deputetët po diskutonin për rezolutën për unitet politik në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës.
Debati nisi pasi Nagavci e prezantoi Shalën si deputet të pavarur.
“Ka kërkuar fjalën deputeti Endrit Shala nga Nisma-AKR. Në fakt deputeti Endrit Shala si deputet i pavarur, sepse koalicioni Nisma-AKR nuk ekziston më”.
Pas këtij prezantimi, Endrit Shala i ka reaguar ashpër kryesueses së Kuvendit, njofton Klan Kosova.
“Nuk jam i pavarur unë. Mos jep komente ti, nuk mund të më tregosh mua a jam i pavarur apo nuk jam. Të lus, kur të flasësh me mua ke kujdes, sepse ju nuk keni të drejtë të më jepni mua mbiemra të tjerë. Unë e kam emrin Endrit Shala dhe jam deputet i Nismës, pikë. Mësohu se e di që je mundu me vota të Serbisë mos ta leni Nismën këtu”.
Pas fjalës së Shalës, Nagavci e falënderoi duke iu drejtuar si “deputet i Nismës dhe pa grup parlamentar në Kuvend”.