Nagavci nxjerr inspektorët në terren, MASHT tregon se a po zbatohet vendimi për zëvëndësim të orëve

10:25 | 15 October 2022

Pagesa e pagave të shtatorit për mësimdhënësit grevist ka ardhur vetëm pas marrëveshjes për kompenzim të orëve të humbura sipas orarit të vendosur nga MASHT-i.

Edhe pse nga SBASHK-u është kundërshtuar që orët të zëvendësohen të shtunave, MASHT s’ka ndërruar mendje dhe sot ka nxjerrë në terren inspektorët për të parë se sa po respektohet vendimi për zëvendësim të orëve të humbura.

Valdrin Dervishaj nga kabineti i ministres Arbërie Nagavci ka thënë se tashmë kanë informatat e para nga terreni dhe sipas tij shumica e mësimdhënësve janë përgjigjur pozitivisht vendimit të MASH-t për orët e humbura.

Ai ka thënë se edhe paraqitja e nxënësve është e kënaqshme dhe varion nga shkolla në shkollë.

“Inspektorët tashmë janë në terren nga ora 7:30. Kemi informatat e para. Në bazë të informatave, shumica e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht kalendarit të vitit shkollor. Ndërsa edhe në lidhje me paraqitjen e nxënësve në shkollë, është një numër i madh që janë paraqitur, kjo varion nga shkolla në shkollë dhe nga komuna në komunë. Në rastet kur nxënësit mungojnë duhet të evidentohen në ditar për mungesë”, ka thënë ai për Express.

Dervishaj gjithashtu ka bërë thirrje që si kanale zyrtare informacioni të merren MASHT-i dhe DKA-të dhe jo persona të tjerë që sipas tij tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë.

“Prindërit duhet të sigurohen që informacionet t’i marrin nga organet kompetente, përkatësisht MASHTI dhe DKA-të dhe t’i shmangin informacionet nga persona që tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë.

Ndërsa mësimdhënësit të jenë në komunikim me prindërit që t’i informojnë nga afër për kalendarin shkollor”, ka shtuar ai tutje.

Komento: