Nagavci, pas kallëzimit penal ndaj saj: E pritshme, por ne nuk do të ndalemi

03:38 | 13 November 2024
nagavci,-pas-kallezimit-penal-ndaj-saj:-e-pritshme,-por-ne-nuk-do-te-ndalemi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas kallëzimit penal ndaj saj sot nga deputetët e opozitës në Prokurorinë Speciale, me arsyetimin se subvencionimi i teksteve shkollore nga MASHTI ka shkelje ligjore.

Në reagimin e saj, Nagavci ka thënë se një gjë e tillë ishte e pritshme për të pasi sipas saj, “dihet mirëfilli se cilat grupe interesi kanë prekur”.

“U përpoqën në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, në media dhe në Kuvend, për ta rikthyer sistemin e vjetër, por nuk ia dolën. Së fundi, kanë krijuar Komision Hetimor, të cilin e kemi përkrahur edhe ne si grup parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe unë si ministre e Arsimit, sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, shkruan Nagavci në reagimin e saj në Facebook.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur.

Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua.

U përpoqën në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, në media dhe në Kuvend, për ta rikthyer sistemin e vjetër, por nuk ia dolën. Së fundi, kanë krijuar Komision Hetimor, të cilin e kemi përkrahur edhe ne si grup parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe unë si ministre e Arsimit, sepse nuk kemi çfarë të fshehim.

Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal. Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar.

Nga librat duhet të përfitojnë së pari dhe kryesisht nxënësit, jo grupet e interesit.

Një gjë është e sigurt, pavarësisht të gjitha tentativave për t’i sprapsur vendimet tona të drejta, NE NUK DO TË NDALEMI!

Komento: