Nagavci për zgjedhjen e rektorit të ri: Procesi ka qenë transparent e i bazuar në meritokraci

17:35 | 07 Gusht 2024
nagavci-per-zgjedhjen-e-rektorit-te-ri:-procesi-ka-qene-transparent-e-i-bazuar-ne-meritokraci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas zgjedhjes së Arben Hajrullahut rektor i UP’së.

Ajo ka thënë se procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent e i bazuar në meritokraci.

“Tashmë kemi arritur të krijojmë një praktikë që do të transformojë rrënjësisht mënyrën e zgjedhjes së Rektorit, mbarëvajtjen e punës dhe avancimin e performancës në Universitetin e Prishtinës. Mbështetja jonë për UP-në do të vazhdojë ngase ky institucion e meriton të shndërrohet në mjedis akademik ku mbizotëron cilësia intelektuale.”

Nagavci e ka falënderuar rektorin e deritanishëm Qerim Qerimi dhe ekipin e tij.

“Rektorin e deritanishëm, Qerim Qerimi dhe ekipin e tij i falenderoj përzemërsisht për punën dhe angazhimin e tyre të palodhur. Falenderoj Këshillin Drejtues të UP-së për punën që e kanë bërë në gjithë këtë proces. Jam mirënjohëse për bashkëpunimin korrekt të tyre dhe të kolegëve tjerë për mbështetjen pa kushte në angazhimin tonë të përbashkët drejt integritetit akademik e rendit institucional në këtë institucion.”

Ajo ka thënë se pret që rektori Hajrullahu të punojë pa kompromis për shkencën e universitetin.

Me gjashtë vota, sot Arben Hajrullahu u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës. Ai është profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të UP’së.

Komento: