Nagavci: Situata me COVID-19 në Kosovë është alarmante

14:41 | 17 Nëntor 2020

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se situata me COVID-19 në Kosovë është alarmante.

Ajo ka thënë se situata në bizneset e vogla dhe bizneset familjare është jashtë vëmendjes së Qeverisë.

Nagavci ka thënë se masat e marra nga korriku e deri tash nuk garantojnë siguri, duke shtuar se logjika me të cilën është duke u qeverisur është hedhur në barrën e qytetarëve.

“Askush nuk e din se si do të kalojnë tre muajt e ardhshëm, cili është plani, a do të vijohet me orarin e karantinës, a pritet që të ketë paketë të re për ndihmë ndaj qytetarëve. si do të vijohet me pagesat e qirave, kush do të kujdeset për fëmijët kur mbyllen shkollat e kopshtet. Shifrat po tregojnë se masat nuk janë efektive”, ka thënë ajo.

Sipas saj sjellja e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj kësaj situate është joserioze.

Nagavci ka shtuar se Qeveria ka krijuar paqartësi me masat e shumta të ndërmarra.

Fatmire Kollçaku – Mulhaxha në emër të grupit parlamentar të LVV-së ka deklaruar se shteti është bërë policor por jo parandalues i përhapjes së pandemisë.

Kollçaku – Mulhaxha ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj se nuk është duke u konsultuar sa duhet me inspektorët sanitarë dhe ata shëndetësorë.

“Sot duhet me u interesu për qytetarët e policët se sa po kanë ata pajisje mbrojtëse, çfarë po bëhet për mjetet mbrojtëse të mësimdhënësve e nxënësve. Çfarë po ndodhë me masat mbrojtëse të shërbyesve civilë”, ka thënë ajo.

Deputetja Kollçaku – Mulhaxha ka pyetur se “çfarë po ndodhë me rimbursimin e terapive të personave të prekur nga sëmundja infektive”.

“Në Prishtinë është caktuar vetëm një qendër në ‘Emshir’. Si mund të mbulohet i tërë kryeqyteti vetëm me një qendër? Sot beteja më e madhe është me gjet një infermier për të ta dhënë terapinë në shtëpi. Çka po bëjmë ne për t’i mbështetur punëtorët shëndetësorë. Shuma e mbështetjes duhet të jetë e barabartë për të gjithë, deri tekniku. Me qindra orë shtesë nuk po paguhen për punonjësit që janë të vijë të frontit”, ka thënë ajo.

Kurse Ekrem Hyseni nga LDK ka thënë se duhet të ndërmerren masa për ta kontrolluar pandeminë, por sipas tij, duhet të mendohet edhe për situatën e ekonomisë.

“Sot shoqëria, populli dhe institucionet duhet t’i marrin përgjegjësitë e veta dhe nga kjo betejë të dalim fitues. Duhet të jemi vigjilent për të respektuar masat që janë vendosur për ta pasur situatën në kontrolle. Pro masave që e vënë në kontroll pandeminë. Përkundër nevojës për masa duhet të ruhet edhe ekonomia. Duhet edhe shëndetin e ekonomisë ta ruajmë dhe të bëjmë gjithçka që ky shëndet të funksionojë dhe të na mbajë neve”, ka thënë ai.

Komento: