Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka folur për “Front Online” lidhur me mbledhjen e dy kuvendeve, atë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunimin e deritanishëm të këtyre ty shteteve.
Hasani ka deklaruar se pavarësisht mbi 100 marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy qeverive dhe ministrive të Kosovës dhe Shqipërisë, shumica e këtyre marrëveshjeve nuk kanë gjetur zbatim të plotë, dhe disa prej tyre nuk janë zbatuar fare.
Sipas Hasanit, ndër ato që kanë pasur ndonjë zbatim veçohen ato që lidhen me çështjen e kufirit, e cila është sezonale, si dhe disa aspekte të marrëveshjeve për taksat doganore dhe kontrollet doganore.
“Janë diku mbi 100 marrëveshje që janë nënshkruar mes dy qeverive dhe ministrive edhe gjitha këto marrëveshje nuk kanë gjetur zbatueshmëri të plotë ose fare pak. Vetëm marrëveshja që është zbatu pak ka të bëjë ajo për kufirin dhe ajo është sezonale vetëm për verën edhe kjo është e përkohshme, ajo që është për taksat doganore për bizneset, as ajo nuk është zbatu, edhe ajo për doganën, kontrolle e doganave se ne kemi një përfaqësi të doganës në Durrës që bëhet skanimi i mjeteve”, tha Hasani.
Një nga arsyet kryesore për mungesën e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, sipas Hasanit, janë ndikimet e grupeve të interesit, të cilat shpesh përcaktojnë nevojat politike dhe krijojnë pengesa.
“Të gjitha marrëveshjet nuk janë zbatuar është kërkuar që të bëhet një njohje reciproke për to. Por kjo është bërë për shkak të ndikimeve të grupeve të interesit nuk po gjejnë zbatim, ato i përcaktojnë nevojat politike dhe ato shteti i Shqipërisë dhe Kosovës ka pengesa, për zbatueshmëri të marrëveshjeve”, shprehet Hasani.