Napoli komod në triumfin ndaj Frankfurtit, i afrohet çerekfinales.
Napoli është treguar komod në fitoren prej 2-0 kundër Eintracht Frankfurtit në Deutsche Bank Park, në sfidën e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Khvicha Kvaratskhelia e pati mundësinë më të mirë që t’i kalonte mysafirët në epërsi nga pika e bardhë, mirëpo Kevin Trapp nuk e lejoi të shënonte.
Para se skuadrat të shkonin në pushim, falë një kundërsulmi të ekipit vizitor, Hirving Lozano dërgoi një top drejt këmbëve të Victor Osimhen në zonë dhe ai nuk e pati të vështirë të realizonte (40’).
Gjërat u përkeqësuan për ekipin gjerman në gjysmën e dytë kur Randal Kolo Muani u përjashtua me karton të kuq.
Nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i dytë i ekipit italian. Kvaratskhelia pranoi një top në zonë dhe e ktheu bukur me thembër drejt Giovanni Di Lorenzos, goditja e të cilit u ndal në rrjetë (65’).
Fitorja si mysafir e bën Napolin favorit për të vazhduar në çerekfinale, kur kihet parasysh se ndeshja e kthimit zhvillohet më 15 mars para tifozëve të Partenopei në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’.