Napoli vazhdon me formën e lartë, shënon fitore të thellë në udhëtim te Ajaxi.
Napoli po vazhdon me formën e lartë në Ligën e Kampionëve, duke regjistruar edhe fitoren e tretë radhazi.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti shënoi fitore bindëse sonte, në udhëtim te Ajaxi, në ndeshjen e tretë në Grupin A – shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar në “Johan Crujiff ArenA” përfundoi me rezultatin 1:6.
Vendasit kaluan të parët në epërsi, me golin e shënuar nga Mohammed Kudus (9’), por kjo ishte e tëra çfarë treguan ata sonte.
Dhe, pastaj ishte radha për spektakël nga napolitanët. Giacomo Raspadori (18’, 47’), Giovanni Di Lorenzo (33’), Piotr Zielinski (45’), Khvicha Kvaratskhelia (63’) dhe Giovanni Simeone (81’) shënuan golat e fitores për mysafirët nga Italia.
Napoli pas kësaj fitore ka 9 pikë dhe vazhdon kryesimin në grup, me tri pikë më shumë se Liverpooli, që renditet i dyti.
Kurse, Ajaxi mbetet në pozitën e tretë me 3 pikë. Rangers është i fundit në këtë grup me 0 pikë.