Napoli fiton ndaj Romës dhe distancohet në krye.
Napoli ka triumfuar përballë Romës (2-1) në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ në ndeshjen e javës së 20-të në Serie A.
Pas pesë minutazh lojë, Khvicha Kvaratskhelia pati një mundësi shumë të mirë, por Rui Patricio bëri një pritje të mrekullueshme.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 17-të të takimit. Kvaratskhelia dërgoi një harkim në zonë, të cilin e ndali me gjoks Victor Osimhen, edhe pse pranë i kishte dy lojtarë kundërshtarë. Ai pati kohë ta rregullojë topin dhe pastaj goditi me vole për të realizuar një gol të bukur.
Leonardo Spinazzola pati një rast shumë të mirë në fund të pjesës së parë, mirëpo Alex Meret bëri një pritje brilante për t’ia mohuar golin. Në gjysmën e dytë, Hirving Lozano bëri një gjuajtje shumë të mirë, por Patricio ishte vendimtar në pritjen e tij.
Stephan El Shaarawy ishte në vendin e duhur për t’i barazuar shifrat (75’), pas një asistimi nga Nicola Zalewski.
Megjithatë, reagimi i liderit ishte i shpejtë për ta rikthyer epërsinë me golin e Giovanni Simeone (86’), i cili e pranoi një top në qendër nga Piotr Zielinski dhe e realizoi golin e fitores.