Naser Osmani nuk kandidon për deputet.
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së partisë në garën për deputet, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në një njoftim në Facebook, Osmani ka thënë se ndaj tij së fundmi ka pasur “presion medial krejtësisht të padrejtë” dhe se aktakuza ndaj tij për dyshimet për keqpërdorim të fondit “3%”, është “pa asnjë bazë të arsyeshme dhe pa asnjë fakt”.
“Ekspertiza gjyqësore e dëshmon të kundërtën e pretendimeve të prokurorit dhe e vë në pah pastërtinë time të plotë”, ka shkruar ai.
Osmani ka thënë se është propozuar që të kandidojë për deputet nga Dega e Lipjanit, por ka vendosur të mos jetë pjesë e listës “për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim”.
“Të dashur qytetarë, si përfaqësues i juaji në gjashtë legjislatura, kam mbrojtur me nder interesin e përgjithshëm dhe kam bërë më të mirën e mundshme. Duke e vlerësuar pafundësisht besimin që më keni dhënë dhe për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim dhe pas asnjë dyshim, kam vendosur që, përkundër propozimit nga Dega e Lipjanit, të mos jem pjesë e listës së LDK-së, partisë sime të përjetshme”, ka deklaruar më tej ai.