
Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në gjithë Kosovën.
Malisheva, Drenasi, Klina, Rahoveci, Gjakova, Juniku, Fushë Kosova e komuna të tjera, kanë qenë më të prekurat.
Madje, si pasojë e situatës në Malishevë e Junik është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Në Prishtinë kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se është intervenuar së paku në 40 raste, si pasojë e vërshimeve. Gjendje e rënduar është paraqitur edhe në disa fshatra të Komunës së Fushë-Kosovës. Në atë të Gjakovës janë evakuuar disa familje të prekura, ndërsa familjeve që kanë nevojë për strehim Komuna ka njoftuar se do t’u sigurojë akomodim në banesa sociale.
Si pasojë e kësaj situate, Ministria e Arsimit mori vendim që fillimi i mësimit të shtyhet deri më 12 janar.
“Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar. Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026”, ka shkruar ajo.
“MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur. Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”, theksoi Nagavci.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në orët e vona ka njoftuar për situatën, duke ftuar qytetarët për kujdes.
“Niveli i ujit në këto orë të vona, është i lartë. “Te Trafoja” në drejtim të Komoranit, makinat e vogla nuk mund të kalojnë dhe duhet të përdoret rruga alternative, Çikatovë e Re, Damanek, Krajkovë – Llapushnik me dalje në magjistralë. Qytetarë të komunës së Drenasit, mos lëvizni pa nevojë të madhe dhe mos i dëmtoni shiritat paralajmërues për ndalimin e kalimit te urat apo te rrugët me nivel të lartë të ujit. Falënderoj Drejtorinë e Emergjencave, zjarrfikësit dhe policët, të cilët janë heronj të ditës. Falënderoj qytetarët që ndihmuan dhe u solidarizuan me të prekurit e vërshimeve. Falënderoj po ashtu kompanitë të cilat kanë shfaqur gatishmëri për të përkrahur qytetarët në këtë situatë të rënduar”, ka shkruar ai.
Vërshimet kanë aktivizuar përfaqësuesit e institucioneve shtetërore për intervenime dhe monitorim të situatës. Atë në Drenas e ka monitoruar ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Po bëjmë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që të mos ketë pasoja të mëdha nga këto vërshime që po ndodhin në disa komuna, si këtu në Drenas, Malishevë, Rahovec dhe në disa komuna të tjera. Jemi në terren me të gjithë operatorët ekonomikë të angazhuar nga ministria jonë, janë në terren në vazhdimësi, 24 orë, për të ndihmuar në çfarëdo situate që është e nevojshme”, ka theksuar Durmishi.