NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë

16:51 | 05 January 2023

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.

Ky qëndrim pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që NATO-ja të shtojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.

“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.

I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, tha zyrtari i NATO-s për REL-in.

Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Qeveria: Rritja e prezencës së KFOR-it, spraps planet serbo-ruse
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, tha se rritja e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës tha se kërkesa e kryeministrit lidhet me “situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë”.

“Prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thanë nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Ekzekutivi shtoi se rritja e prezencës së KFOR-it, do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Komento: