NATO deklarohet pas invazionit rus në Ukrainë: Moska do të paguaj çmim të lartë ekonomik e politik

11:58 | 24 February 2022

Deklaratë e NATO-s pas invazionit rus në Ukrainë: Moska do të paguaj çmim të lartë ekonomik e politik.

Aleanca Ushtarake Veri-Atlantike(NATO) ka lëshuar një deklaratë ku kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe sulmet e ushtrisë ruse. Në deklaratë thuhet që Rusia do ta paguajë një çmim të lartë politik dhe ekonomik.

“Ne dënojmë në shkallën më të ashpër të mundshme sulmin tmerrues të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili është krejtësisht i pajustifikuar dhe i paprovokuar. Mendimet tona janë me të gjithë të vrarët dhe të plagosurit dhe me popullin e Ukrainës. Ne gjithashtu dënojmë Bjellorusinë për mundësimin e këtij sulmi. Ne i bëjmë thirrje Rusisë në shkallën më të lartë që të kthehet prapa nga rruga e dhunës dhe agresionit që ka zgjedhur. Udhëheqësit e Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e veprimeve të tyre. Rusia do të paguajë një çmim shumë të rëndë ekonomik dhe politik. NATO do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me palët përkatëse të interesit dhe organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë BE-në”, thuhet në deklaratë.

Tutje NATO deklaron se do të dërgojnë forca shtesë në shtetet lindore të Alenacës pas sulmit rus në Ukrainë.

“Veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike dhe ato do të kenë pasoja gjeostrategjike. NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve. Ne po vendosim forca shtesë mbrojtëse tokësore dhe ajrore në pjesën lindore të Aleancës, si dhe mjete shtesë detare. Kemi rritur gatishmërinë e forcave tona për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve”, thuhet në deklaratë.

Komento: