NATO deklarohet pas vendimit për përshtatje të pranisë ushtarake te Ura e Ibrit

19:00 | 12 Gusht 2026
nato-deklarohet-pas-vendimit-per-pershtatje-te-pranise-ushtarake-te-ura-e-ibrit

NATO po punon për të siguruar optimizimin e misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, duke u bazuar në përmirësimin e situatës së sigurisë. Kështu ka shkruar në platformën “X” zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.

Ky reagim vjen vetëm dy dite pasi që KFOR-i bëri të ditur për fillimin e tërheqjes graduale nga prania e përhershme te Ura e Ibrit e po ashtu për integrimin gradual të Policisë së Kosovës në sigurimin e Manastirit të Deçanit.

“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i përshtatur me rrethanat aktuale, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Nën udhëheqjen e qëndrueshme të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kemi filluar të përshtatim pozicionimin tonë, në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe palët relevante. Këto përshtatje dëshmojnë përparim konkret në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky proces bazohet në kushtet në terren dhe mund të përmbyset, nëse është e nevojshme”, shkruan Hart.
Ajo shkroi po ashtu se NATO mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Dy ditë më pare u tha se përkujdesja për sigurinë e Urës mbi Ibër dhe në Manastirin e Deçanit do të bartet gradualisht te policia e Kosovës, konfirmoi KFOR-i në dy njoftime të këtij misioni për këto dy pika.

KFOR-i bëri të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i njoftoi se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Komento: