NATO ka dënuar rëndë sulmet ndaj KFOR-it, nga grupet kriminale serbe në veri të Kosovës duke thënë se të tilla sulme janë të papranueshme.
”NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në reagimin e NATO-s.
Tutje, NATO u bën thirrje të gjitha palëve që të marrin masa në de-eskalimin e situatës kritike në komunat veriore.
”Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të paqes dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, thuhet tutje.
Këto akte të dhunës i kanë dënuar edhe SHBA-të dhe BE-ja.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, dënoi veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, që shkaktuan lëndime te disa ushtarë të KFOR-it.
Përmes një reagimi, Szunyog tha se BE-ja kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës.
“BE-ja në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër NATO_KFOR trupat që ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar ai në Twitter.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA dënon fuqishëm këto veprime, përfshirë përdorimin e eksplozivëve.
”SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër NATO_KFOR, trupat që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi Hovenier në Twitter.