Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka zhvilluar bisedë telefonike me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bisedë kjo që erdhi pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.
Në njoftimin e tij, Geoana tha se NATO mirëpret dakordimin e arritur drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, derisa nxitën nevojën për përparim të mëtejshëm.
“Pata një telefonatë të mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Ne mirëpresim hapat e mëtejshëm të Beogradit dhe Prishtinës në rrugën e normalizimit dhe inkurajojmë përparim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e zëvendëssekretarit Geoana në Twitter.
Ai poashtu rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të NATOs për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë KFOR-in”, ka shkruar tutje ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë dje, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë.