NATO-ja dislokon 200 trupa në Ballkan, fokusi në Kosovë

12:59 | 30 Shtator 2024
nato-ja-dislokon-200-trupa-ne-ballkan,-fokusi-ne-kosove

Përafërsisht 200 personel nga Forcat Aleate të Reagimit (FAR), forcë kjo e sapokrijuar e NATO-s, do të vendosen në Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 16 tetor 2024, për të kryer trajnime për të siguruar gatishmërinë e saj dhe për të mbështetur KFOR-in.

Kjo u bë e ditur në një njoftim të KFOR-it dhe kjo është hera e parë që ndonjë element i FSHSH-së vendoset që nga krijimi i forcës në korrik të këtij viti, 2024.

Një kontigjent ushtarak i Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit (OLRT) të FSHSH-së prej rreth 50 vetësh do të jetë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut do të krijohet një nyje komanduese me rreth 150 personel.

Më tej thuhet se personeli i dislokuar do të kryejë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë dhe për të testuar aftësitë dhe procedurat e tyre për të vendosur me shpejtësi një forcë të madhe. Një pjesë e shtabit të FAR do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrën për të identifikuar kërkesat e mbështetjes logjistike, infrastrukturore dhe operacionale për KFOR-in, në rast të një përforcimi të konsiderueshëm të qëndrimit të KFOR-it.

“FAR është një forcë strategjike, me gatishmëri të lartë, e aftë për shumë fusha. Ajo është në gjendje të vendoset në një njoftim të shkurtër, i mbështetur nga paketa të shkallëzueshme të forcës me shumë domene për të forcuar parandalimin në skenarë të ndryshëm. ARF i siguron Komandës së Lartë Aleate në Evropë (SACEUR) aftësi të menjëhershme për reagim ndaj krizave”.

“Ky dislokim i FAR-it, së bashku me vendosjen e  Forcës Rezervë Strategjike (SRF) në Kosovë në fillim të këtij muaji, dërgojnë një mesazh të qartë të vendosmërisë dhe angazhimit të fortë të NATO-s për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe aftësinë e NATO-s dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur”.

“Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFCNP) po monitoron nga afër situatën në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Tensionet e përsëritura dhe veprimet e pakoordinuara ngrenë shqetësimin e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e trupave të NATO-s dhe partnerëve”, thuhet në ndër tjera.

Komento: