NATO mirëpret marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës e Serbisë

21:55 | 30 September 2021

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, është mirëpritur edhe nga NATO.

Aleanca Veriatlantike e NATO’s e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zëdhënësja e NATO’s, Oana Lungescu në një deklaratë për media ka thënë se kjo aleancë vazhdon ta mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja që ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Prishtinës e Beogradit, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

“Ne e mirëpresim marrëveshjen për shtensionim për veriun e Kosovës të arritur sot midis Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Misioni i NATO-s, KFOR do të luajë rol thelbësor që kjo marrëveshje të zbatohet, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, që i jep mandat KFOR-it që të ofrojë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ajo.

Lungescu ka thënë se në ditët e fundit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber ka biseduar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur me nevojën e shtensionit të situatës, për të treguar përmbajtje dhe për t’iu kthyer dialogut.

“Ne presim të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun dhe për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak në takimin që do të ketë me sekretarin Stoltenberg, gjatë ditës së nesërme në selinë e NATO-s. NATO vazhdon që fuqishëm të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që kanë për qëllim normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo është rruga e vetme përpara që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme politike për rajonin dhe është kyç për stabilitetin në mbarë rajonin”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë që sot Kosova dhe Serbia kanër arritur marrëveshje për targat me këto pika kyçe:

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Komento: