NATO-n e aktivizojnë targat, Aleanca ka një mesazh para 31 tetorit

12:52 | 28 October 2022

Targat aktivizojnë edhe NATO-n, Aleanca ka një mesazh para 31 tetorit.

Derisa diplomatët me anë të takimeve dhe telefonatave po përpiqen të evitojnë një eskalim të mundshëm Kosovë-Serbi për shkak të skadimit të afatit të targave, në terren këtë po e bën ushtria e NATO’s. Në një përgjigje për Gazetën Express Aleanca Veriatlantike bën me dije se nuk ka shtuar numrin e ushtarëve, por rikujton se një kontingjent i trupave britanike që është duke qëndruar në Kosovë nga 11 shtatori ka rritur përkohësisht praninë e trupave. NATO thotë se KFOR është plotësisht i përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes. Për të njëjtat arsye në Beograd po qëndron Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO’s, admirali Rob Bauer, i cili mbrëmë takoi shefin e ushtrisë, ndërsa sot Presidentin e Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti e ka vendosur 31 tetorit si datë të fundit kur qytetarët serbë mund të riregjistrojnë automjetet e tyre me targa legale të Kosovës, përkundër thirrjeve të aleatëve që kjo kohë të zgjatet. Derisa kanë mbetur edhe më pak se katër ditë dhe krejt pak qytetarë serbë kanë dëgjuar vendimin e Qeverisë së Kosovës është rritur frika për prishje të stabilitetit në veri të vendit sikurse më 31 korrik. Derisa Kurti ka edhe pak kohë ta rimendojë eventualisht pozicionin e tij, KFOR në terren po kryen stërvitje për t’u përballur me çfarëdo situate.

NATO në një përgjigje për Gazetën Express siguron se është në gatishmëri dhe se do të intervenojë në rast se cenohet stabiliteti në territorin e Kosovës. Megjithatë, aktualisht thotë se situata është stabile dhe se nuk ka rritur prezencën e trupave të KFOR-it në veri, derisa konfirmon se ka monitorim të situatës në veri.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe Në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasë ndonjë ndryshim në pozicionimin e forcave të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO”, tha një zyrtar i NATO-s për Express.

Sidoqoftë, do të ketë një rritje të prezencës së trupave të KFOR-it, por për arsye tjetër. Në Kosovë nga 11 shtatori po qëndron një kontingjent britanik i ushtarëve që po stërvitet me pjesën tjetër të ushtarëve të KFOR’it. Kjo stërvitje ka filluar më 27 shtator dhe është e planifikuar të kryhet më 2 nëntor.

“Në këtë periudhë, gjithashtu, Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO është duke zhvilluar një stërvitje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë. Kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren”, thuhet në përgjigje.

KFOR thotë se njësitë janë duke kryer aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e tyre të lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të KFOR-it në OKB. “Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti ushtarak do të largohet nga Kosova”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Express.

Tutje thuhet se Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë “përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

KFOR shton se tani është kyçe që të shmangën “veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme”.

Përveç KFOR-it, për situatën në veri është aktivizuar edhe EULEX-i. Në një përgjigje për Express, të mërkurën, ka njoftuar se aktualisht 105 zyrtarë policorë nga Polonia janë duke patrulluar në veri të Kosovës, pak ditë para skadimit të afatit për riregjistrim të targave të automjeteve në RKS.

Po ashtu, EULEX ka konfirmuar se më 31 korrik të këtij viti ka vërejtur një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese, që ishin të armatosur në barrikadat e ngritura në Kosovën veriore. Si reagim, EULEX-i thotë se bëri shtim të patrullimeve të vëzhgimit në Kosovën veriore dhe demanton se aktualisht ka prani të ngjashme si të 31 korrikut.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, edhe pas thirrjeve publike të SHBA-së dhe BE-së që afati të shtyhet për 10 muaj, kanë deklaruar se janë kundër shtyrjes së këtij afati, por kanë deklaruar se do të merren parasysh edhe kërkesat e aleatëve. Kurti ka paralajmëruar edhe një mbledhje për sot në ora 16:00, derisa thirrja që ai ta shtyjë afatin për targat iu përsërit mbrëmë nga amerikanët.

Ndërkohë, Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO’s, admirali Rob Bauer, për shkak të situatës së krijuar po viziton Serbinë. Mbrëmë, ai takoi shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, ndërsa sot Presidentin e Serbisë.

Komento: