Ndalimi 48 orë i Gecit, Prokuroria: Policia u autorizua për zbardhjen e rastit, mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e gazetarëve

11:31 | 13 Tetor 2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë për media për rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj nga ish-deputeti Gani Geci.

Prokuroria tha se me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë “një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’”.

“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij”.

Prokuroria njoftoi se Mehmetaj është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa Geci në atë të dyshuarit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në fund u zotua se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes.

Komento: