Republika e Kosova ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të ngjashme të Serbisë, të cilët sot refuzuan vizitën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla në Luginën e Preshevës.
Lajmin për Gazetën10 e konfirmoi Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ky vendim thuhet se është marrë pas veprimeve të përsëritura të Qeverisë së Serbisë për të refuzuar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, veçanërisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Ju njoftojmë që Republika e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Republikën e Kosovës të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024. Ky vendim vjen pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, qëndrim ky që është ashpërsuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare”, ka thënë Fazliu.
Ndryshe, ministri serb kishte planifikuar të qëndronte në Kosovë nga 24 deri më 26 dhjetor, por kërkesa e tij u refuzua. Më herët, gjatë 25 dhjetorit, MPJD-ja njoftoi se Serbia i kishte refuzuar ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkesën për një vizitë dyditore në jug të Serbisë, në komunat me shumicë shqiptare. /Gazeta10/