Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës që u arrestuan për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës

19:26 | 27 Janar 2026
ndalohen-per-48-ore-tre-zyrtaret-e-komunes-se-prishtines-qe-u-arrestuan-per-marrje-te-ryshfetit-dhe-keqperdorim-te-detyres

Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës që u arrestuan në aksionin e sotëm janë ndaluar për 48 orë.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Ju njoftojmë se pas aksionit te zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për ndalimin e tre personave të cilët kane kryer vepren penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 te KPRK-se dhe “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 te KPRK-se. Po ashtu, janë sekuestruar edhe telefon si provë e cila do të shërbejë në zhvillimin e mëtejshem të procedures hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykates kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj të dyshuarve”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më herët tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës nën dyshimin e kryerjes së këtyre veprave penale.

“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, njoftoi Prokuroria krahas thirrjes drejtuar qytetarëve që të raportojnë për të gjitha veprat penale të natyrës së korrupsionit.

Për këto arrestime është deklaruar edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se Komuna e Prishtinës do të ketë bashkëpunim të plotë me organet e rendit dhe tha se “askush nuk është mbi ligjin”

Komento: