Ndalohen tre persona në Gjilan pasi po bënin gara me 28-vjeçarin që vdiq në aksident, ikën nga vendngjarja dhe nuk i ofruan ndihmë

18:41 | 26 Janar 2024

Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi të premten se ka ndaluar tre persona, lidhur me vetaksidentin me fatalitet që ndodhi një ditë më parë ku si pasojë një 28-vjeçar ndërroi jetë.

Sipas prokurorisë, F.A. dhe B.A., janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, dhe të dyshuarin L.M., për shkak të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale”, bëhet e ditur më tej në njoftim.

Komento: