Ndalohet edhe një tjetër liberal serb në Merdare, Haradinaj ka një kërksë nga BE-ja

11:22 | 10 Janar 2019

Edhe një tjetër anëtarë i partisë liberale serbe në Kosovë, është ndaluar nga autoritet serbe. Një gjë e tillë ka ndodhur në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kësaj ndalese, duke thënë se Serbia po u bën presion liberalëve serbë në Kosovë. Kryeministri i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë ndaj veprimeve të Serbisë.

Pasi kryetari i SLS-së, Slobodan Petroviq, javë më parë deklaroi se është ndaluar në pikën kufitare dhe është marrë në pyetje nga BIA serbe, ka ndodhur edhe një ndalesë e tjetër nga po i njëjti subjekt.

Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, është ndaluar nga autoritetet serbe. Kryeministri Haradinaj ka dënuar këtë ndalesë, duke e quajtur kërcënim dhe presion të Serbisë.

Shefi i ekzekutivit ka kërkuar nga Zyra e BE-së që të reagojë ndaj veprimeve të shtetit serb.

Shkrimi i plotë i kryeministrit:

Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor.

Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.

Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm.

Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta.

Komento: