“Ndërmjetësit s’pranuan”, pasi u përfshi vetë në bisedime e pa që s’mund t’i imponojë temat , Kurti i zbulon vetë detajet
“Nuk është shumë e mirë”, thotë tash kryeministri i Kosovës Albin Kurti për marrëveshjen për të cilën ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin dakorduar në fillim të vitit 2023.
Marrëveshjes të cilën e mbrojti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, Kurti pranoi se i mungojnë “shumë gjëra”.
Ai ishte mysafir në një emision të quajtur “Rrjedha” në KTV, mes ish-këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashit dhe aktivistit të dikurshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Rron Gjinovcit.
Mes tyre, Kurti pranoi se nuk kishte arritur ta merrte më të mirën nga ajo marrëveshje, për të cilën, megjithatë, ishte pajtuar dhe nënshkrimin e së cilës e kërkoi gjatë edhe pas dakordimit.
“Nuk është marrëveshje shumë e mirë ajo, shumë e shkëlqyeshme, a po kupton. Ajo është OK marrëveshje”, tha ai.
U pyet nëse ka insistuar që në të të fuste gjërat të cilat ai mendon se do të duhej të përfshiheshin.
“Po qyshjo, shumë ka pasë betejë aty, edhe në fund është ai produkt që s’po e nënshkruan Serbia”, tha Kurti.
Ndërsa e pranoi se “mungojnë shumë gjëra aty”, Kurti tha se kanë konsideruar se do të ishte e dëmshme që ajo marrëveshje të refuzohej.
“Si një marrëveshje në rrugë për normalizim, ne e kemi konsideru që është shumë më e dëmshme të refuzohet, shumë më e mirë të pranohet dhe të ecim përpara”, tha ai.
Kurti tha se kishin propozuar që në të të përfshiheshin shumë çështje, përfshirë dëmet e luftës, por tha se ndërmjetësit s’kishin qenë dakord.
“Në propozimin që ua kemi bërë ne, kanë qenë këto, ndërmjetësit nuk kanë qenë dakord me to. Edhe ne i kemi disa ndërmjetës të cilët po ashtu nuk kanë konsensus për të na njohur. Kjo punë po zhvillohet në Bashkimin Evropian në Bruksel”.