Ndërpritet seanca për rastin e vrasjes në Dragodan, kjo është arsyeja

13:03 | 26 Mars 2024
nderpritet-seanca-per-rastin-e-vrasjes-ne-dragodan,-kjo-eshte-arsyeja

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha kërkoi që fjalën hyrëse në këtë çështje ta paraqesë në një sallë ku mund të shikohet CD-ja e momentit kritik dhe gjykata nuk arriti të sigurojë sallë me pajisje teknike, seanca e sotme u ndërpre.

Në këtë rast Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa po akuzohet për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E kam një kërkesë që fjalën hyrëse ta mbajmë në një nga sallat ku ka monitor edhe mund ta përdorim tabelën përkatësisht ta përdorim CD-në që është në provat e ligjshme të Prokurorisë”, tha avokati Berisha

Sipas tij, përmes CD-së me video-incizimet e vendit të ngjarjes do të prezantonin teorinë e mbrojtjes, e cila sipas avokatit i referohet mbrojtjes së nevojshme dhe nuk mund të përçohet mesazhi i saj pa pajisje teknike.

Një propozim të tillë, paraprakisht e kundërshtoi prokurorja Fatmire Cacaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ndrec Dodaj, e më pas u aprovua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gent Beka.

Tutje, gjykatësi Beka ndërpreu seancën për të siguruar një sallë me pajisje teknike, por të njëjtit nuk arritën të gjejnë sallë të lirë për shkak se në gjykatë është vetëm një sallë funksionale me pajisje teknike. Andaj, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Paraprakisht, në këtë seancë i akuzuari Avni Mustafa përsëri u deklarua i pafajshëm për veprën penale “Vrasje”, ndërsa pranoi fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, të akuzuarit Mustafë Mustafa dhe Leutrim Mustafa përsëri u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohen.

Më 26 tetor 2023 u mbajt seanca fillestare në këtë rast, e kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, i cili është avancuar në Departamentin Special.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisen të dalin nga hoteli ku i akuauri Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

Me kët, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

Komento: