Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në vendin tonë.
Një 22-vjeçar nga Suhareka ka ndërruar jetë sot në vendin e tij të punës.
22-vjeçari nga Mushtishti i Suharekës me inicialet K.J, ka ndërruar jetë sot në vendin e tij të punës në Lipjan.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka thënë për lajmi.net, se 22-vjeçari e ka humbur jetën teksa ishte duke pastruar rezervuarët e naftës.
“Viktima ka qenë duke punuar në pompën e derivateve “Labi Oil”. Duke e pastruar vendin ku vendoset karburanti e ka kap ajo makina edhe ka pasuar vdekja e tij. Bëhet fjalë për një djalë mbi 20-vjeçar”, ka treguar Beka për lajmi.net.
Beka ka thënë se për momentin rasti është duke u cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe pas autopsisë që do t’i bëhet viktimës atëherë do të qartësohen të gjitha rrethanat se si ka ardhur deri te vdekja e 22-vjeçarit.
Vdekjen e 22-vjeçarit, e ka konfirmuar edhe policia e rajonit të Prishtinës.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 11:00.
“Rreth orës 11:00 në Stacionin Policor ne Graçanicë është hapur një rast për një vdekje të dyshimtë. Sipas raporteve të para Rasti ka ndodhe në një kompani private ku në rrethana akoma të pasqaruar një person mashkull 1997 ka humbur jetën në vendin e tij të punës”, ka treguar Ahmeti për lajmi.net.
Ajo ka thënë se me rastin po merren njësitet përkatëse.
Ndryshe, në vitin që lamë pas, në vendin e punës kanë humbur jetën 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.