Ndërron jetë doktori i njohur shqiptar

09:28 | 17 Qershor 2020

Vdes doktori i njohur Simë Dobreci.

Ka vdekur në moshën 86 vjeçare mjeku i njohur i Dermatologjisë Simë Dobreci, në fshatin e tij të lindjes Braticë e Ulqinit.

Lajmin e kanë dhënë familjarë dhe miq të doktorit nëpërmjet Facebook.

“Dr. Simë Gjon Dobreci, na la sot me zemra të pikëlluara. Ne, qytetaret e Ulqinit humbem nje nga figurat me te njohura, me te respektuara e me te ngritura jo vetem te qytetit por kudo ku dr. Sima ka jetuar dhe vepruar nder vite. Dr. Sima ka qene nje nder te paret se bashku me Gazin (Çitaku) te cilet kane besuar ne talentin dhe artin tim. Ai me ka besuar hapesire ne revisten “Buzuku” ne te cilen bashkoheshin autoret me me renome te kombit tone. Dr. Sima ishte nje mjek shembullor, i cili perpos se me ilaçe te sheronte me fjale te mira e buzeqeshje. Te gezuar qe te patem e dashte Zoti te kemi vleresuar sa ti edhe e ke merituar. Ngushellime tetes Lule, Arber, Fisnik dhe gjithe familjes Dobreci”.

Dobreci në vitete e hershme ishte mjek edhe në Kosovë. Në vitin 1967 filloi punën në Spitalin e Prishtinës, ku edhe filloi specializimin për dermatologji, ndërsa e kreu në Zagreb në vitin 1970.

Lindi më 27 mars 1934 në Braticë, Ulqin, shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), Fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin si mjek nga viti 1964 deri 1967.

Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore.

Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989) dhe profesor ordiner (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.

Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private. Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica).

Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, jetoi në Braticë, Ulqin

Komento: