Ndërron jetë në QKUK 35-vjeçarja që mori lëndime të rënda nga zjarri në lagjen Kalabria në Prishtinë

09:57 | 22 January 2023

Vdes në QKUK 35-vjeçarja që mori lëndime të rënda nga zjarri në lagjen Kalabria në Prishtinë.

S.B., 35-vjeçare ka vdekur në QKUK, ku u trajtua për rreth 8 ditë. Viktima kishte marrë plagë të rënda si pasojë e një zjarri në një shtëpi në lagjen “Kalabria” të Prishtinës. Zjarri e kishte kapluar shtëpinë me datën 13 janar, ndërsa 35-vjeçarja vdiq të shtunën (21 janar).

Shkaqet e zjarrit nuk dihen akoma, ndërsa rasti në polici është hapur si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Lajmi për vdekjen e gruas u bë i ditur sot në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Prishtinë 13.01.2023 – 03:50. Me 21.01.2023 lidhur me rastin është raportuar se e dyshuara femër kosovare cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ishte duke u trajtuar në QKUK, sot ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, njofton policia.

Ndërsa, një ditë pasi kishte ndodhur zjarri policia kishte njoftuar për një shtëpi të djegur në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Kalabri.

Policia kishte konfirmuar se se aty ishte një grua e shtrirë në korridor e cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas mjekëve, gruaja ishte në gjendje kritike.

Familjarët kanë njoftuar se lamtumira e fundit do t’i jepet sot viktimës.

Komento: