Ndërron jetë papritmas ish-futbollisti i Anglisë

08:20 | 30 April 2020

Vdes papritmas ish-futbollisti i Anglisë.

Ish-futbollisti i Anglisë dhe Leeds United, Trevor Cherry, ka vdekur të mërkurën mbrëma në moshën 72-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Cherry-t vjen më pak së dy javë pasi ish-bashkëlojtari i tij te Leeds, Norman Hunter, ndërroi jetë, transmeton Gazeta Express.

Cherry, i cili e nisi karrierën në klubin e vendlindjes, Huddersfield, i bëri gati 500 paraqitje për ekipin legjendar të Leeds në vitet 1970-ta dhe e përfaqësoi vendin e vet Anglinë në 27 takime.

Në një njoftim për media, klubi i Leeds bëri të ditur se Cherry ka vdekur papritmas pasi nuk vuante nga ndonjë sëmundje.

“Leeds United është i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e legjendës së klubit Trevor Cherry, e cila ndodhi papritmas dhe befasisht”, thuhet në reagimin e Leeds.

Pas një dekade në Leeds, Cherry u largua për t’u bërë lojtar dhe trajner i Bradford.

Më vonë, ai e drejtoi edhe skuadrën e Rotherham.

Komento: